Robbie Williams dhuroi një nga momentet më prekëse të turneut të tij “Britpop Tour”, duke ftuar në skenë vajzën e tij 13-vjeçare, Teddy, gjatë koncertit të mbajtur në Luksemburg.
Këngëtari britanik e prezantoi me krenari të bijën para mijëra fansave, duke zbuluar se ajo ëndërron të ndjekë hapat e tij në muzikë.
Ajo ka një zë të mrekullueshëm dhe dëshiron të bëhet këngëtare
-u shpreh Robbie, përpara se Teddy t’i bashkohej në interpretimin e hitit të pavdekshëm “Angels”.
Teddy, e cila rrallë shfaqet në publik, u prit me duartrokitje të gjata, ndërsa babë e bijë ndanë një moment emocionues në skenë që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale. Sipas fansave, kjo ishte hera e dytë radhazi që ajo i bashkohej Robbie-t gjatë turneut.
Robbie dhe bashkëshortja e tij, Ayda Field, janë prindër të katër fëmijëve dhe zakonisht e mbajnë jetën familjare larg vëmendjes mediatike. Megjithatë, paraqitja e Teddy-t në skenë ka ngjallur spekulime se ajo mund të jetë duke hedhur hapat e parë drejt një karriere muzikore.
Momenti u konsiderua një nga pikat kulmore të koncertit në Luksemburg, me publikun që e shpërbleu performancën e tyre me ovacione të gjata.