Robbie Williams ka anuluar koncertin e tij të planifikuar në Stamboll, mes shqetësimeve për sigurinë dhe frikës nga sulmet terroriste.
Këngëtari britanik, 51 vjeç, njoftoi vendimin përmes një postimi në Instagram, duke theksuar se anulimi i shfaqjes së fundit të turneut “Britpop” nuk ishte në dorën e tij apo të stafit organizator.
Autoritetet e qytetit e kanë anuluar shfaqjen në interes të sigurisë publike. Gjëja e fundit që do të doja është të rrezikoja jetën e fansave të mi. Siguria e tyre është prioriteti im
-shkroi ai.
Koncerti duhej të mbahej më 7 tetor në Atakoy Marina, një datë që përkon me përvjetorin e dytë të sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit – një moment i ndjeshëm për rajonin.
Mediat turke raportojnë se vendimi lidhet me tensionet politike dhe rrezikun e shtuar për incidente të mundshme.
Williams shprehu keqardhje për fansat e tij turq, duke kujtuar lidhjet e tij personale me vendin përmes bashkëshortes Ayda Field, e cila është me origjinë turke.
Ai theksoi se kishte dashur ta mbyllte turneun pikërisht në këtë qytet, por siguria mbetet parësore.
Megjithatë, artisti i njohur për hitin “Angels” ka paralajmëruar rikthim me projekte të reja. Albumi i tij i fundit “Britpop” pritet të publikohet më 6 shkurt 2026, pas një shtyrjeje për të shmangur përplasjen me publikimin e fundit të Taylor Swift.