Vetëm tre muaj para vdekjes së tij tragjike, regjisori dhe aktori i njohur amerikan Rob Reiner kishte ndarë publikisht se cili film e përfaqësonte më së miri si artist dhe si njeri. Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, u gjetën të pajetë të dielën në banesën e tyre në Los Angeles, ndërsa autoritetet po hetojnë një vrasje të dyfishtë ku dyshohet se mund të jetë i përfshirë djali i tyre.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Unilad, Reiner kishte folur për trashëgiminë e tij artistike vetëm pak javë më parë në një intervistë për emisionin “Pa Censur” të Piers Morgan.
Gjatë bisedës, Morgan i drejtoi një pyetje personale: nëse publiku do ta kujtonte për një film të vetëm, cili do të ishte ai?
Fillimisht, Reiner reagoi me humor, duke e krahasuar filmografinë e tij me fëmijët, duke thënë se i do të gjithë, edhe ata “më problematikët”.
Por më pas ai dha një përgjigje të sinqertë, duke përmendur filmin “Qëndro pranë meje” (Stand by Me) si veprën që kishte më shumë kuptim për të.
Ai shpjegoi se ky projekt mishëronte pasionin, emocionin dhe mesazhin që donte t’i linte brezave, duke e konsideruar si filmin që flet më shumë për thelbin e tij krijues.
Intervista e fundit e Reiner u bë virale për tonin emocional dhe ndershmërinë e tij, duke treguar lidhjen e thellë të regjisorit me artin dhe mënyrën se si ai e shihte krijimtarinë jo thjesht si sukses, por si trashëgimi.
Emri i tij mbetet i gdhendur në historinë e kinemasë amerikane përmes veprave që vazhdojnë të prekin publikun edhe sot.