Regjisori i njohur amerikan Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij Michele, të cilët sipas traditës hebraike do të dëshironin të varroseshin brenda 24 orëve nga vdekja, ende nuk janë përcjellë për në banesën e fundit, pasi trupat e tyre mbahen nga autoritetet në kuadër të hetimit për vrasje. Për krimin dyshohet djali i tyre 32-vjeçar, Nick Reiner.
Megjithatë, të hënën, miqtë e afërt dhe figura të njohura të Hollywood-it u mblodhën për një përkujtim të improvizuar në rezidencën e komedianit Albert Brooks në Brentwood, Los Angeles, për të respektuar dëshirën e çiftit për një lamtumirë të shpejtë.
Të pranishëm ishin Billy Crystal me bashkëshorten e tij Janice, Larry David, Bill Hader dhe Conan O’Brien, miq të vjetër të familjes Reiner.
Të gjithë ata kishin qenë edhe në festën e fundvitit të Conan O’Brien të shtunën mbrëma, ku Rob dhe Michele kishin marrë me vete edhe Nick-un. Sipas burimeve, çifti kishte shprehur frikë se çfarë mund të bënte i biri nëse lihej vetëm.
Nick Reiner kishte vite që përballej me probleme të rënda të varësisë, kishte kaluar dhjetëra herë në rehabilitim dhe kohë pas kohe kishte mbetur edhe i pastrehë.
Në festë, Nick raportohet se u soll në mënyrë të çrregullt dhe pati një përplasje me aktorin Bill Hader, pas së cilës u largua i zemëruar.
Sipas një dëshmie të zbuluar më vonë, Rob Reiner u kishte thënë miqve të tij atë mbrëmje se kishte frikë nga i biri dhe se mendonte se ai mund ta lëndonte.
Të mërkurën, Zyra e Mjekësisë Ligjore të Los Angeles konfirmoi se Rob dhe Michele Reiner kishin ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shumta nga mjete prerëse. Nick Reiner u arrestua të dielën në mbrëmje dhe tashmë përballet me dy akuza për vrasje të shkallës së parë.
Ai u paraqit shkurtimisht në gjykatë, pa dhënë deklaratë, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 7 janar. Ai do të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.