Dritan Rexhepi, ‘mbreti i kokainës’, dëshmoi për herë të parë në GJKKO për rrëmbimin , vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020. Ai mohoi akuzat e ngritura ndaj tij duke thënë se në atë periudhë ka qenë në burg në Ekuador, ku po vuante një dënim prej 13 vitesh burg për trafik droge.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Jan Prenga u vra, pasi vëllai i tij vodhi 283 kg kokainë në Angli, që dyshohet se i përkiste rrjetit kriminal që drejtohej nga Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi. Në sallën gjyqësore, Rexhepi për herë të parë mohoi lidhjen me Gentian Funiqin, ky i fundit i akuzuar se u dha urdhrin 5 personave për rrëmbimin e Jan Prengës në janar 2020. Edhe pse bashkë kanë qenë në një burg në Ekuador, Rexhepi thotë se nuk ka pasur asnjë njohje me të dhe madje mohoi të ketë dijeni për vjedhjen e drogës në portin Portsmouth. Gentian Funiqi rezulton i arrestuar në Spanjë, por ende nuk ka një vendim për ekstradimin e tij në vendin tonë.
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do me pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjell avokatja dokumentet nga burgu i Firencez, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës”.
LEXO EDHE: Ekuador/ Dënohet “ekonomisti” i Dritan Rexhepit. Pastroi 43 milion dollarë bashkë me 8 të tjerë
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij procesi gjyqësor janë provat e reja që SPAK ka dorëzuar, që pritet të implikojnë drejtpërdrejtë Dritan Rexhepin, Gentian Funiqin dhe pronarin e kompleksit ‘Golden’, Altin Hajrin në vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës. Jo vetëm me Funqin, por Dritan Rexhepi mohoi edhe njohjen me Hajrin në kompleksin e të cilit u mbajt për 8 orë trupi i pajetë i Jan Prengës, derisa më pas u fut në një mjet dhe ende nuk dihet se ku është zhdukur.
Rexhepi tha se lidhur me këtë ngjarje nuk ka pasur asnjë komunikim në aplikacionin SkyECC, i përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale, ndërsa i pyetur nga prokurorët e SPAK nëse ka njohje me Altin Hajrin, ‘mbreti i kokainës’ tha se nuk i thotë asgjë ky emër.
Çështja e Jan Prengës
Jan Prenga, baba i tre fëmijëve, u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë, ku u transportua në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.
5 persona akuzohen si rrëmbyesit, Aldo Majnishta, Artan Doçaj, Geraldo Martini dhe Marin Bleta dhe Korado Gështenja, të cilët po gjykohen bashkë me Dritan Rexhepin.
Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023, u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie. Ai po përballet për herë të parë më drejtësinë shqiptare, ndërkohë paralelisht në një tjetër proces është duke u gjykuar edhe Altin Hajri, në kërkim për dosjen e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja.
Sa i takon çështjes së Jan Prengës, Hajri shfaqet në pamje duke dëmtuar kamerat e sigurisë së Golden Resort, aty ku është mbajtur trupi i pajetë i Jan Prengës për afro 8 orë. Por për vrasjen e Jan Prengës po rigjykohet edhe kopshtari Festim Bexhdilli, i cili u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por më pas vendimi u prish nga Gjykata e Lartë duke e kthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së