Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 kanë aplikuar rreth 70 mijë fermerë, më saktësisht 69 mijë e 917, për të përfituar financim nga fondet e vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare. Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, krahasuar me një vit më parë, numri i aplikimeve ka shënuar rritje të lehtë me rreth 60 fermerë më shumë.
Aplikimet në 8 masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi janë hapur më 14 prill duke u mbyllur me 30 maj 2025 dhe sipas të dhënave të AZHBR-së, interesi me i lartë ka rezultuar për mbështetjen me naftë.
Pas aplikimit me vetëdeklarim në e-Albania, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural nis procesin e verifikimit dhe plotësimin e dosjeve për secilin aplikant. Një pjesë e mirë e dokumentacionit gjenerohet direkt nga e-albania, ndërsa pjesa tjetër duhet të dorëzohet nga fermerët.
Ndër kriteret kryesore është toka në pronësi apo përdorim të fermerëve përmes një kontrate qiraje të noterizuar si dhe mospasja e detyrimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Nga ana tjetër, për mbjelljet e bëra paraprakisht apo për numrin e krerëve në blegtori dhe numrin e koshereve në bletari, do të kryhet verifikimi në terren. Pas përfundimit të të gjithë procedurës, do të nisë disbursimi i fondeve për fermerët.
Këtë vit, fermerët do të përfitojnë pagesa cash për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi. Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe do t’i jepet më shumë prioritet financimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat do mund të përfitojnë në masën 100%.