Aktualitet

Kredi e butë në bujqësi deri në 25 milion lekë, hapen aplikimet!

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur sot se kredia e butë deri në 25 milion lekë është tashmë e disponueshme në bankat e nivelit të dytë me një normë interesi preferenciale deri në 3.5%. AZHBR-ja iu bën thirrje fermerëve të përfitojnë nga ky instrument financiar për të zgjeruar dhe modernizuar aktivitetin e tyre në bujqësi.

Me miratimin e skemës së garancisë në gjysmën e dytë të vitit, norma e interesit ulet në vetëm 2%, nënvizon AZHBR dhe shton se garancia mbulon deri në 70% të kolateralit, duke lehtësuar aksesin në financim.

AZHBR-ja ndan edhe disa detaje nga ky instrument financiar, si dhe përgjigjet për pyetjet më të shpeshta.

AZHBR thekson se programi i financimit për SME-të dhe sektorin e bujqësisë është një program i ri kreditimi me vlerë totale prej 25 miliardë lekësh, i cili është i financuar nga Banka e Shqipërisë e synon të mbështesë SME-të dhe sektorin e bujqësisë me kredi me norma preferenciale interesi.

Për këtë kredi mund të aplikojnë subjektet që operojnë në sektorin e bujqësisë, agropërpunimit, akuakulturës, peshkimit dhe agroturizmit, si dhe bizneset mikro, të vogla e të mesme (SME) që përmbushin kriteret e përcaktuara nga bankat e nivelit të dytë.

AZHBR bën të ditur se aplikimi për financim bëhet pranë bankave të nivelit të dytë që janë të përfshira në këtë program. Sa i përket shumës maksimale të financimit, çdo subjekt mund të përfitojë kredi deri në 25 milion lekë.

AZHBR-ja thekson se norma e interesit për këtë kredi është 2-3.5%, teksa kreditimi pa kolateral do të mbulohet deri në 70% nga fondi i garancisë sovrane të qeverisë. Ndërkaq, afati i shlyerjes së kredisë varion nga 3 deri në 5 vjet, në varësi të kushteve të përcaktuara nga bankat e nivelit të dytë.

Programi synon të mbështesë: Bujqësinë dhe Fermat; Agropërpunimin; Peshkimin dhe Akuakulturën; Agroturizmin; Inovacionin teknologjik në shërbim të zhvillimit rural. Programi është i vlefshëm deri në fund të vitit 2025. Të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë në: [email protected],  0800 83 83