Bota

Rrëzohet qeveria holandeze pas përplasjes për politikën e emigracionit!

Koalicioni qeverisës në Holandë u rrëzua ditën e sotme pasi Geert Wilders, lideri i ekstremit të djathtë dhe kreu i Partisë për Liri (PVV), vendosi të tërhiqte partinë e tij nga qeveria për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi politikën e emigracionit.

Wilders, i cili doli fitues në zgjedhjet e nëntorit 2023 dhe udhëheq partinë më të madhe në parlament, kishte paralajmëruar që në fund të muajit që lamë pas se do të shkaktonte rënien e qeverisë nëse brenda disa javësh nuk zbatohej plani i tij dhjetë pikësh për kufizimin e emigracionit.

Plani i Wilders përfshinte mbylljen e kufijve për azilkërkuesit, ndalimin e bashkimit familjar për refugjatët, mbylljen e qendrave të azilit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe dëbimin e shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë që janë dënuar për vepra penale.

Megjithatë, një numër ekspertësh politikë e ligjorë e cilësuan këtë plan si të pazbatueshëm dhe të paligjshëm, ndërsa disa vlerësuan se Wilders e kishte krijuar vetë krizën, me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Pas bisedimesh të shkurtra dhe të tensionuara mes katër partive të koalicionit, sot në mëngjes Wilders deklaroi se kishte informuar kryeministrin se PVV-ja do të tërhiqej nga qeveria dhe se nuk mund të mbante më përgjegjësi për këtë kabinet. Ai theksoi edhe se kishte hyrë në koalicion për të realizuar politikën më të ashpër për azilin dhe jo për “rrënimin e Holandës”.

Tërheqja e PVV-së i jep fund një qeverisjeje, e cila që nga fillimi ishte e brishtë dhe pritet të çojë në zgjedhje të parakohshme, duke futur vendin në një periudhë të re pasigurie politike. Në të gjithë Europën, forcat e ekstremit të djathë po përjetojnë rritje, teksa Holanda përgatitet të presë një samit të rëndësishëm të NATO-s.