Rajoni

Rubin kritikon Gjykatën Speciale për paraburgimin e drejtuesve të ish-UÇK/së!

Në vijim të dëshmisë në Hagë, James Rubin, sot tregoi arsyet pse ai ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke thënë se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale. Ish-zyrtari i lartë amerikan e quajti “të padrejtë” mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson.

Sipas Rubinit, një gjë e tillë s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe sipas tij, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur formoi Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së.

James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre. Sipas artikullit të lexuar nga prokurori, “Hashim Thaçi drejtoi fushatën e vrasjes së disa komandantëve”.

Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së te diplomatë amerikanë, të cilët pretenduan se me sytë e tyre kishin parë vrasjen e rivalëve të Thaçit. Rubin shtoi se nuk i kujtohet ky artikull, por vuri në dukje se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.

Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme.

Po ashtu, Rubin, u pyet në Gjykatën Speciale nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për pretendime mbi rrëmbim të civilëve serbë, shqiptarë e romë, si dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së.

Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, u shpreh diplomati i SHBA-ve. Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën, shumë shpesh. Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti, nënvizoi Rubin.