Dëshmitari i mbrojtjes në procesin ndaj Hashim Thaçit në Hagë, James Rubin u pyet për takimin e fundit me ish-presidentin e Kosovës dhe tregoi se ka ndodhur në vitin 2019. Diplomati amerikan, i cili kishte një kontratë me qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë, u shpreh:
Unë isha shumë i gëzuar që ta shihja.
Zyrtari shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe të siguronin njohje reciproke mes dy vendeve.
Pikërisht këtë synova në punën time me të, t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës e njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme.
Rubin rrëfeu për takimin e tij me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën. Ai tha se Thaçi e kishte njohur përmes televizionit, pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. Sekretarja Madeleine Albright e kishte inkurajuar që të bisedonte me Thaçin dhe të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me të.
Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra.
Në atë kohë, Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj Rubin shpjegoi se shpesh përdorej gjuha e trupit dhe se përkthyesit diplomatikë ishin të pranishëm gjatë bisedimeve.
Mbrojtja në gjykimin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi sot nisi dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Dëshmitari i parë i thirrur nga avokatët e Thaçit, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.
Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale, u krijuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Institucioni është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por në përbërje ka edhe gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. Selia e tij u vendos në Hagë të Holandës për të shmangur kërcënimin e dëshmitarëve.
Ideja për ta krijuar lindi pasi Këshilli i Europës miratoi një rezolutë që i bënte thirrje Kosovës të hetonte akuzat e bëra nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, i cili, në vitin 2010, akuzoi anëtarët e UÇK-së për krime lufte e trafik organesh, akuza që nuk janë vërtetuar dhe nuk përfshihen në aktakuzën aktuale.