Bota

Rusia: Penguam një komplot ukrainas për vrasjen e dy figurave!

Në Rusi, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) pretendoi se ka penguar një komplot të Ukrainës për të vrarë një oficer të lartë rus, si dhe një bloger prorus që përkrah luftën e që do të realizohej përmes një bombe të fshehur në një amplifikator zëri. FSB-ja, pasardhëse e KGB-së sovjetike, raportoi se një qytetar rus kishte vendosur kontakte me një oficer të Agjencisë të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, GUR, përmes aplikacionit të mesazheve, Telegram.

Nën udhëzimet e oficerit ukrainas të Inteligjencës, shtetasi rus e tërhoqi bombën nga një vend ku mbahej e fshehur në Moskë. Ekuivalent me 1 kilogram e gjysmë TNT, mjeti shpërthyes u zbulua në një amplifikator portativ të zërit.

FSB-ja nuk zgjodhi t’i tregojë emrat e oficerit e të blogerit, për të cilët pretendoi se ishin objektiv i këtij komploti të dështuar. Ndërkaq, GUR-i ukrainas ende nuk ka reaguar në lidhje me këto pretendime të Rusisë.

Ukraina thotë se lufta që Rusia ka nisur e po vazhdon kundër saj prej rreth tre vitesh tashmë, paraqet një kërcënim ekzistencial ndaj shtetit ukrainas dhe Kievi zyrtar e ka bërë të qartë se vrasjet e shënjestruara janë të ligjshme. Por, këto akte, Rusia i cilëson si “terrorizëm” dhe akuzon Ukrainën për vrasje të civilëve.

Më 17 dhjetor të këtij viti, shërbimi ukrainas i Inteligjencës, SBU, raportoi se ka vrarë një gjeneral-lejtnant të Rusisë në një sulm me bombë në ndërtesën ku ai banonte në kryeqytetin rus Moskë.