Ndërsa miliona ndjekin finalen e Eurovisionit, shumë fansa ndihen në konflikt për pjesëmarrjen e Izraelit, në sfondin e luftës në Gaza. Eurovision është promovuar si një festë e paqes dhe dashurisë, por praninë e një shteti në konflikt e shohin si kundërthënie me këtë mision. Disa argumentojnë se Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) nuk ka fuqi për ta përjashtuar Izraelin. Të tjerë përmendin sponsorin izraelit Moroccanoil. Por, çështja lidhet me vetë qëllimin e ekzistencës së EBU-së.
Kjo organizatë u themelua në 1950 për të mbështetur transmetimin publik të lirë dhe të pavarur dhe përjashtonte zërat që i shërbenin drejtpërdrejt qeverive. Në Izrael, ky debat është i gjallë. Qeveria e Netanyahut e mbylli transmetuesin publik IBA në 2017, duke e zëvendësuar me Kan, më i bindur, por sërish në shënjestër të pushtetit, që kërkon ta privatizojë. EBU mbron Kanin si një transmetues publik, sepse në të kundërt, do të thyheshin rregullat e pjesëmarrjes në Eurovision. EBU përballet me një sfidë; ta mbrojë Kanin dhe parimet e saj, apo markën e Eurovisionit, e cila tani është bërë një simbol i vlerave liberale në arenën ndërkombëtare.
Në vitin 2022, Rusia u përjashtua vetëm pas presionit të vendeve të tjera. Me Izraelin, një hap i tillë nuk ka ndodhur ende. Eurovision Song Contest 2025, po hyn në fazën finale me një garë të fortë mes 26 shteteve, por këtë vit vetëm dy vende nga Ballkani kanë arritur të sigurojnë një vend në natën përfundimtare: Shqipëria dhe Greqia. Shqipëria u kualifikua që në natën e parë gjysmëfinale, ku u përfaqësua me shumë stil nga grupi Shkodra Elektronike dhe kënga e tyre elektrizuese “Zjerm”. Në të njëjtën natë, disa vende të tjera ballkanike nuk arritën të siguronin kualifikimin. Sllovenia, e përfaqësuar nga këngëtari Klemen dhe Kroacia, me përfaqësuesin Marko Bošnjak, nuk arritën të marrin mjaftueshëm vota për të kaluar më tej.