Showbiz

Russell Brand përballet me drejtësinë: Nis gjyqi për akuzat e përdhunimit dhe ngacmimit seksual!

Sot në Londër ka nisur zyrtarisht gjyqi ndaj aktorit dhe komedianit britanik Russell Brand, i cili akuzohet për përdhunim dhe ngacmim seksual ndaj katër grave, në raste të ndodhura midis viteve 1999 dhe 2005.

Sipas Policisë Metropolitane, Brand përballet me katër akuza të ndara, ndërsa ai i ka mohuar kategorikisht të gjitha pretendimet. Seanca e parë dëgjimore po zhvillohet në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster.

Policia britanike konfirmoi se Brand aktualisht jeton në Anglinë jugore, megjithëse sipas agjencisë “PA Media”, besohet se ai mund të jetë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Hetimet ndaj Brand nisën në shtator të vitit 2023, pas publikimit të një raporti investigativ të përbashkët nga “Sunday Times”, “The Times” dhe emisioni televiziv “Dispatches” i “Channel 4”, i cili zbuloi pretendime të shumta për sjellje të papërshtatshme dhe shkaktoi një valë denoncimesh.

Brand është i njohur për karrierën e tij të gjatë në Hollywood, për rolet në komedi të njohura, si dhe për prezantimet në radio dhe televizion britanik.

Ai gjithashtu ka qenë në qendër të vëmendjes për martesën e tij me këngëtaren Katy Perry, e cila zgjati nga viti 2010 deri në 2012.

Procesi gjyqësor pritet të zgjasë dhe të tërheqë vëmendjen e publikut, ndërsa Brand vazhdon të mohojë çdo fajësi.