Aktualitet Politikë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Evropian, Costa: Duhet të krijojmë të gjitha kushtet për zgjerim! Von der Leyen: 300 mln euro për reformat

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan sot pasdite me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi zgjerimin dhe posaçërisht mbi Planin e Rritjes ekonomike për rajonin që aspiron integrimin në bllok.

Në konferencë për median pas samitit Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vunë theksin tek zgjerimi i Bashkimit Europian.

“Duhet të krijojmë të gjitha kushtet për zgjerim. Nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE’ tha Costa.

Në konferencën e përbashkët me presidentin e KE-së, Ursula Von der Leyen deklaroi pas samitit BE-Ballkani Perëndimor se do jepen më shumë akses për vendet e këtij rajoni në kapitalin financiar.

LEXO EDHE: Rruga e Shqipërisë drejt BE, Athina zyrtare: Do ta mbështesim, por me një kusht!

Në këtë iniciativë të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi do të bashkohen vitin që vjen.

‘Duhen reforma dhe investime. Kemi reforma shumë ambicioze për të zbatuar nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Këto reforma do të mbështeten me fonde. Kemi 300 milionë euro për të mbështetur reformat. Hapi i parë do të jetë interimi i tyre në tregun e përbashkët europian. Do ta bëjmë akoma më të lehtë dhe më funksionale, kalimin e kufijve.

Do të japim më shumë akses me kosto më të ulëta të kapitalit financiar, Shqipëria dhe Mali i Zi do të bashkohen në këto iniciativa vitin që vjen dhe vendet e tjera më pas. Ajo që u vendos në procesin e Berlinit është e rëndësishme që lidhen me ECOMERC dhe duhet të thyejnë dhe barrierat mes kapitalit njerëzor’, tha Ursula Von der Leyen.

Ky samit vjen një ditë pasi u zyrtarizua edhe hapja e negociatave të Shqipërisë për klasterin 6 ‘Marrëdhëniet me Jashtë’. Nga Shqipëria, i pranishëm në samit ishte kryeministri Rama.

Nga Kosova në këtë samit mori pjesë presidentja Vjosa Osmani. Të pranishëm ishin edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç.