Aktualitet

Sazani në flakë, dëgjohen edhe shpërthime municionesh!

Në ditën e tretë të zjarrit në Ishullin e Sazanit, situata vijon shqetësuese e nga terreni vijnë raportime për shpërthime municionesh luftarake. Zjarri vazhdon aktiv në një sipërfaqe te konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit, përballë qytetit të Vlorës.

Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar e vijojnë të digjen edhe këtë fillimjavë. Ndonëse u raportua se rreth mesnate, vatrat më të rrezikshme u vunë nën kontroll nga forcat e ushtrisë, të mbështetur edhe nga punonjës të zonave të mbrojtura, e pamundur shuarja e zjarrit.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako siguron se “zona ku ndodhet baza ushtarake është e mbrojtur, nuk paraqet rrezik”. Sipas Çakos, për ndërhyrjen nga ajri do të pritet një tjetër moment, më i përshtatshëm.

Ishulli i Sazanit është i rrethuar nga një mjegull tymi dhe duken qartë vatra zjarri aktive. Eshtë dhënë urdhër që asnjë foto ose video të mos i përcillet mediave. Deri kur të shuhen flakët e të pastrohen mbetjet e municioneve, ishulli i Sazanit do te jete i mbyllur për turistët.

Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan është papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje, ndezin zjarre për ushqimet e tyre, ndërsa janë vetëm katër ushtarë që monitorojnë gjithë ishullin e kjo është e pamundur.

Ndërkohë, më herët reagoi Ministria e Mbrojtjes:

Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll.