Bota

Senati bllokon propozimin për ta kufizuar autoritetin e Trump-it në luftën ndaj Iranit!

Forcat amerikane dhe izraelite vazhduan të sulmojnë Iranin, teksa Senati e hodhi poshtë një propozim që do ta kufizonte autoritetin e presidentit Donald Trump për të vazhduar aksionin ushtarak kundër shtetit të Lindjes së Mesme pa miratimin e Kongresit.

Trump tha se çdo zyrtar iranian që synon postet më të larta për të zëvendësuar liderët e vrarë do të përfundojë i vdekur, dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Iranit.

Jemi në pozicion shumë të fuqishëm tani dhe udhëheqja e tyre po largohet shpejt. Kushdo që dëshiron të bëhet lider, do të përfundojë i vdekur, tha Trump në një takim me liderë të sektorit të teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë.

Po ia dalim mirë në frontin e luftës, nëse e them butë këtë. Dikush më ka pyetur se deri në numrin 10 sa do ta vlerësoja? Do të thoja 15.

Presidenti është zotuar se nuk do të lëshojë pe në fushatën e përbashkët ushtarake me Izraelin, që la të vrarë liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe shumë zyrtarë tjerë të sigurisë, ushtrisë e politikës.

Trump deklaroi se arsenali i raketave balistike të Teheranit “po zhduket me shpejtësi”.

Presidenti amerikan urdhëroi sulmin për t’i parandaluar Iranit krijimin e armës bërthamore, por vuri në dukje se dëshiron që Teherani të mos ketë program të raketave balistike, që t’i japë fund dhunës kundër protestuesve anti-qeveritarë. Mijëra civilë janë vrarë në një shtypje brutale shtetërore javët e fundit.

Republikanët kundërshtojnë kufizimet për kompetencat e luftës

Një propozim i paraqitur në Senatin Amerikan parashikonte që çdo sulm i mëtejshëm ushtarak të autorizohej nga Kongresi.

Por, shumica e republikanëve e kundërshtuan, duke argumentuar se presidenti, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, e ka autoritetin t’i drejtojë operacionet ushtarake.

Demokratët thanë se votimi është provë për rendin kushtetues. Senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer, u shpreh se ligjvënësit duhet të vendosin nëse do t’i dërgojnë “bijtë dhe bijat” e amerikanëve në rrezik.

Nga ana tjetër, udhëheqës republikanë mbrojtën presidentin Donald Trump. Senatori nga Dakota e Jugut, John Thune, u shpreh se Trump po vepron për të mbrojtur forcat amerikane, ndërsa ai nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, e quajti propozimin “jokushtetues”.