Rajoni

Serbi, 1 vit nga tragjedia e Novi Sadit/16 minuta heshtje për 16 viktimat!

Mijëra njerëz u mblodhën në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, për të përkujtuar viktimat e shembjes fatale të çatisë së stacionit hekurudhor, duke shënuar një vit nga tragjedia që ndezi protestat më të mëdha në dekada.

Njerëzit vendosën lule dhe qirinj përgjatë gardhit të përkohshëm pranë hyrjes së dëmtuar të stacionit. Mijëra vetë morën pjesë në përkujtimet që filluan në stacion më 11:52 paradite, në të njëjtën orë kur ndodhi tragjedia. Gjithashtu mbajtën 16 minuta heshtje, në nderim të 16 viktimave.

Që nga fillimi i nëntorit 2024, nuk ka paqe për Serbinë që është përballur me protesta të vazhdueshme, të drejtuara nga studentët. Fillimisht, protestuesit kërkuan hetim transparent, por më pas thirrjet e tyre u zgjeruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Studentë dhe qytetarë të tjerë kanë shkuar në Novi Sad që nga dje, me makina, biçikleta apo në këmbë. Me mijëra marshuan drejt Novi Sadit nga Beogradi, rreth 100 kilometra dhe nga Novi Pazari, afro 340 kilometra në jug të kryeqytetit. Simbolikisht, u deshën 16 ditë, në nderim të 16 viktimave që ta përfundonin marshimin.

Mbrëmë, banorët e Novi Sadit dolën në rrugë për t’i pritur marshuesit, duke fishkëllyer dhe valëvitur flamuj, shumë prej tyre të prekur emocionalisht. Protestat bënë që kryeministri të jepte dorëheqje, çuan në rrëzimin e qeverisë dhe formimin e një të reje. Por, presidenti Aleksander Vuçiç qëndron në detyrë.

Shpesh, Vuçiç i ka quajtur demonstruesit “puçistë të financuar nga jashtë”, ndërsa anëtarë të partisë së tij SNS kanë përhapur teori konspirative, duke pretenduar se shembja e çatisë mund të ketë qenë sulm i orkestruar.

Por, dje në një fjalim televiziv, Vuçiç bëri një veprim të rrallë dhe kërkoi falje për deklaratat, duke thënë se pendohet për disa prej tyre, pa treguar se për cilat.

Kjo vlen si për studentët, ashtu edhe për protestuesit, si dhe për të tjerët me të cilët jam përplasur në qëndrime. Kërkoj falje!

Vuçiç bëri thirrje për dialog. Qeveria ka shpallur të sotmen ditë zie kombëtare ndërsa kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, mbajti meshë për viktimat në Kishën e Shën Savës, në Beograd.

Në meshë mori pjesë edhe presidenti Vuçiç, i cili shkroi në Instagram:

Në këtë kohë të trishtueshme, gjëja më e rëndësishme është që Serbia të jetë dinjitoze dhe e bashkuar. Sot është dita kur pa fjalë të ashpra apo përçarje, duhet të lutemi në heshtje për viktimat.

Mbështetësit e Vuçiçit që kanë ngritur kampe pranë ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, kundër bllokimit të universiteteve, njoftuan grumbullim para kishës, për të nderuar viktimat.