Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd.
Me një kapacitet prej 51.755 vendesh, “Rajko Mitić” është stadiumi më i madh në Serbi dhe shtëpia e klubit Crvena Zvezda, ndryshe i njohur si ‘Ylli i Kuq i Beogradit’. Ndeshja krahasuar me vitin 2014, mes Serbisë dhe Shqipërisë u zhvillua në stadiumin e Partizanit të Beogradit, kurse këtë rradhë është zgjedhur një stadium i nivelit të lartë, thuhet në njoftimin e federatës serbe.
Në të njëjtin stadium do të luhet edhe ndeshja ndaj Anglisë më 9 shtator, ndërsa sfida përmbyllëse e grupit ndaj Letonisë, më 16 nëntor, do të zhvillohet në stadiumin “Duboçica” në Leskovc.
Në ndeshjen e parë, Shqipëria ka barazuar pa gola përballë Serbisë në “Arenën Kombëtare”, në atë që cilësohej ndeshja më e rëndësishme e kësaj fushate kualifikuese të Botërorit 2026.
Sfida e transmetuar drejtpërsëdrejti në DigitAlb, nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por kuqezinjtë ishin më agresivë, duke tentuar disa herë drejt portës me Mitajn dhe Laçin. Gjithsesi, shansi më i artë ishte në fndin e pjesës së parë, me Hysajn që fitoi një 11-metërsh, por Rey Manaj u ndal nga Petrovic.
Pjesa e dytë, ishte gjithashtu me ritëm të lartë, me Brojën dhe Uzunin që u shkëputën disa herë në krahun e djathtë, ndërsa Bajrami gjithashtu kishte një shans të artë për të ndëshkuar serbët në minutën e 72’, por tentativa e tij u ndal nga Petrovic.
Në minutat e fundit, skuadrat tentuan të surprizonin njëra-tjetrën, por nuk kishte më raste të pastra, duke ndarë pikët pas vërshëllimës së fundit të bilbilit nga arbitri.