Janë shtyrë me 30 ditë sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse. Kjo u bë e ditur nga presidenti serb, Alekdander Vuçiç.
Ne kemi pranuar një shtyrje me 30 ditë për Industrinë e Naftës të Serbisë. Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë, shkroi Vuçiç në Instagram.
Në letrën e Departamentit amerikan të Thesarit e që Vuçiç e publikoi, thuhet se “sanksionet kundër NIS-it janë shtyrë deri më 28 mars”. Më 10 janar të këtij viti, kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën NIS-in nën sanksione për shkak të aksioneve të kompanisë ruse të naftës, Gazprom Neft, në mënyrë që të parandalojë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.
NIS-i rezulton e vetmja kompani në Serbi që është e përfshirë në nxjerrjen, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe në prodhimin e gazit natyror. Më herët gjatë muajit shkurt, kompania dorëzoi kërkesë në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Qeverisë amerikane, për të shtyrë vendosjen e sanksioneve.
Kërkesa për të shtyrë sanksionet për minimumin 90 ditë, në mënyrë që të zgjidhet çështja e pronësisë, u mbështet nga qeveria e Serbisë dhe ajo e Hungarisë. Që atëherë, struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar.
Siç njoftoi dje Bursa e Beogradit, Gazprom Neft ka transferuar të paktën 5% të aksioneve të veta te Gazprom-i, një kompani ruse që nuk është subjekt i sanksioneve perëndimore. Dokumentet e publikuara në ueb-faqen e Bursës së Beogradit tregojnë se Gazprom Neft ka zvogëluar përqindjen e aksioneve në NIS nga 50 në rreth 44.85%.
Në të njëjtën kohë, Gazpromi ka rritur përqindjen e aksioneve në NIS nga 6.15 në 11.30%. Sa i përket pjesës tjetër të aksioneve, 29.87% janë në pronësi të shtetit të Serbisë dhe pjesa tjetër rezultojnë në pronësi të qytetarëve, punëtorëve aktualë dhe ish-punonjësve e të tjerëve.