Rajoni

Ambasadori rus në Serbi: Negociatat për NIS-in, në drejtimin e duhur!

Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan Kharchenko, tha se negociatat për shitjen e aksioneve ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) te kompania hungareze MOL, nuk kanë përfunduar ende, por është shënuar përparim.

Në një intervistë për mediat, Kharchenko u shpreh se “procesi po shkon në drejtimin që u përshtatet të gjithëve, çka është konfirmuar në deklarimet e zyrtarëve serbë”.

Mund të them se rezultatet aktuale të bisedimeve janë në linjë të plotë me marrëdhëniet miqësore mes Rusisë dhe Serbisë. Më e rëndësishmja, ato ofrojnë mundësi për vazhdim bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe çdo sektor tjetër.

I pyetur nëse vendimin e autoriteteve amerikane për të zgjatur licencën e punës për NIS-in deri më 20 shkurt e sheh si sinjal që Uashingtoni mund t’i japë dritën e gjelbër marrëveshjes përfundimtare për shitjet e aksioneve ruse te MOL-i, apo nëse konstaton komplikime në horizont, deklaroi se është “shumë i rezervuar në këtë drejtim”.

Çështja e NIS-it është shumë e komplikuar, janë edhe autoritetet amerikane të përfshira dhe nuk mund të përjashtojmë asgjë. Kjo është bota në të cilën jetojmë.

Vendimi amerikan për të zgjatur licencën është me rëndësi, sidomos për ruajtjen e funksionalitetit të NIS-it dhe rafinerisë, sepse ky është një burim i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Serbisë. Me fjalë tjera, kemi rreze shprese.

Aktualisht, NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse dhe në mënyrë që masat ndëshkuese të largohen, administrata Trump po kërkon largimin e dorës ruse nga pronësia.

Më 19 janar, grupi hungarez MOL konfirmoi se ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me Gazprom Neft-in e Rusisë, për të blerë 56.15% të aksioneve në NIS. Konfirmimin përfundimtar për marrëveshjen duhet ta japë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja, në Departamentin amerikan të Thesarit.