Sport

Serbia e paguan për koret e tifozëve në sfidën me Shqipërinë/Dënim nga FIFA!

Komiteti Disiplinor i FIFA-s dënoi Federatën e Futbollit të Serbisë për sjelljen e papërshtatshme të tifozëve gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë dhe që u zhvillua më 11 tetor, në Leskovac.

Sipas njoftimit të Federatës Serbe të Futbollit, dënimi arrin në 87,500 franga zvicerane (rreth 93,981 euro) dhe është vendosur për shkak të sjelljeve të papërshtatshme gjatë intonimit të himnit shqiptar si dhe për sjellje diskriminuese nga një pjesë e tifozëve gjatë ndeshjes.

Përveç gjobës financiare, Serbia u ndëshkua edhe me mbylljen e pjesshme të stadiumit, të paktën 25% e kapacitetit të vendeve në ndeshjen e radhës kualifikuese të FIFA-s, që do të zhvillohet kundër Letonisë, po ashtu në Leskovac.

Gjatë takimit ndaj Shqipërisë, tifozët serbë u dëgjuan duke bërë thirrje ofenduese e fashiste kundër shqiptarëve dhe Kosovës, çka krijoi një atmosferë armiqësore në stadium.

Megjithatë, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit arriti të përballonte presionin dhe doli fituese 1:0, me golin e Rey Manajt, duke shënuar një rezultat të rëndësishëm në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.