Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë (KOSTT) njoftoi se vendi po përballet me probleme të furnizimit me energji elektrike. Përmes një njoftimi, KOSTT raportoi vështirësi në balancimin e sistemit energjetik, për shkak të “devijimeve të mëdha midis energjisë së nominuar dhe kërkesës reale”.
Energjia e nominuar është parashikimi që bën Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) se sa energji u duhet konsumatorëve.
Sot, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji se kërkesa reale, duke e çuar zonën e kontrollit KOSTT në jobalanca mesatare prej rreth 211 MW në orë, ndërsa në disa orë këto jobalanca tejkalojnë 260 MW në orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cënon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.
KOSTT-i kërkoi që nominimet të reflektojnë “saktë kërkesën reale” dhe pret korrigjim të menjëhershëm, që të ruhet siguria e sistemit energjetik.
Në këtë situatë, KOSTT është detyruar të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes.
Qytetarët në Kosovë janë përballur me mungesë të energjisë elektrike edhe në të kaluarën. Rasti i fundit ishte muajin e kaluar kur autoritetet bënë thirrje për kursim të energjisë elektrike në orët e pikut.
Kosova prodhon pjesën më të madhe të energjisë elektrike përmes dy termocentraleve të vjetra, Kosova A dhe B. Nëpërmjet këtyre dy termocentraleve, që funksionojnë me qymyr, Kosova prodhon 94% të energjisë apo rreth 800 megavat në orë.
Ndërkaq, pjesa tjetër sigurohet përmes energjisë së gjelbër, përkatësisht nga hidrocentralet, turbinat e erës dhe panelet diellore. Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se vetëm më 2025-ën, ndau miliona euro për rehabilitimin e tyre.
Por, ish-ministri i Energjisë në Kosovë, Ethem Çeku, i tha Radios Evropa e Lirë në fund të 2025-ës se thelbi i krizës së energjisë është mungesa e investimeve kapitale në sektorin e energjisë dhe pamundësia për tërheqjen e investitorëve të mëdhenj.
Investimet në këtë sektor i cilësoi si “arna-arna”, duke shtuar se paratë e shtetit shkojnë kryesisht në blerje të energjisë dhe sipas Çekut, “kjo është politikë e gabuar”.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vendi ka importuar energji elektrike në vlerë rreth 248 milion eurove në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa ka eksportuar në afro 48 milion euro. Importin, kryesisht Kosova e ka siguruar nga Maqedonia e Veriut, në vlerë 114 milion euro dhe nga Shqipëria, në 94 milion. Ka importuar nga 3-4 milion edhe nga Sllovenia, Serbia e Danimarka.