Sharon Osbourne ka reaguar për herë të parë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, ikonës së rokut Ozzy Osbourne, duke zgjedhur një gjest simbolik dhe emocional.
Ozzy, vokalisti legjendar i grupit Black Sabbath, ndërroi jetë më 22 korrik në moshën 76-vjeçare, pas një periudhe të gjatë shëndetësore të vështirë.
Ai u përcoll për në banesën e fundit me një ceremoni private në rezidencën e tij në Buckinghamshire, ku ishin të pranishëm familjarët, miqtë më të ngushtë dhe emra të njohur të muzikës, mes tyre Marilyn Manson dhe kitaristi Zakk Wylde.
Në fundjavë, në llogarinë zyrtare të Ozzy-t në Instagram u publikua një foto e tij e fundit në skenë, e shoqëruar me fjalët:
Nuk dua të them lamtumirë. Kur ta bëj, do të jesh mirë. Në fund të fundit, e bëra gjithçka për ty.
Sharon, 72 vjeç, reagoi thjesht duke pëlqyer postimin – një përshëndetje e heshtur, por tepër domethënëse për partnerin e saj të jetës.
Sipas dokumenteve zyrtare, shkak i vdekjes së Ozzy-t ishte arresti kardiak, infarkti akut i miokardit dhe sëmundja e arteries koronare, të shoqëruara nga komplikacionet e Parkinsonit, i diagnostikuar tek ai në vitin 2019.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur botën e muzikës dhe të showbiz-it, ndërsa familja u shpreh se Ozzy u largua “i rrethuar nga dashuria”.