Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Danimarka dhe vende të tjera evropiane eksportin e vezëve të pulave për të përballuar mungesën e madhe që po përjeton vendi, i udhëhequr nga Donald Trump. Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Vezëve të Danimarkës, SHBA ka kërkuar furnizime nga Evropa për shkak të rënies së prodhimit vendas, e shkaktuar nga gripi i shpendëve dhe tarifat e larta ndaj Kanadasë, furnizuesit kryesor të vezëve për tregun amerikan. Çmimi i mesatar u një veze në muajin shkurt arriti në 0.6 dollarë, një rritje prej 96% krahasuar me shkurtin e vitit 2024, sipas të dhënave të Zyrës Amerikane të Statistikave të Punës.
Për këtë arsye, Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka kontaktuar me vendet prodhuese evropiane për të vlerësuar kapacitetin e tyre të prodhimit dhe mundësinë e eksportit të vezëve drejt SHBA-së. “Ende jemi në pritje të më shumë informacionit nga Uashingtoni për hapat e ardhshëm, por a mund të na jepni një vlerësim të sasisë së vezëve që mund të furnizoni për tregun amerikan?”-thuhej në një letër dërguar Shoqatës Daneze të Vezëve.
Një tjetër letër nga SHBA theksonte se mungesa e vezëve është një problem global për shkak të rritjes së konsumit dhe përhapjes së gripit të shpendëve. Megjithatë, Danimarka iu përgjigj SHBA-së duke theksuar se nuk ka rezerva të tepërta të vezëve në Evropë, por se do të shqyrtojë mundësinë e eksportit. Mungesa e vezëve në SHBA ka nisur që nga viti 2022 për shkak të gripit të shpendëve. Edhe pse vende si Turqia dhe Brazili kanë rritur eksportet e tyre të vezëve në SHBA, kërkesa në treg mbetet e lartë dhe e paplotësuar. Për këtë arsye, disa supermarkete amerikane kanë kufizuar klientët duke i lejuar të blejnë vetëm një sasi të kufizuar vezësh.