Përfaqësuesi amerikan në Kombet e Bashkuara, John Kelley i tha Këshillit të Sigurimit se marrëveshja aktuale që është ofruar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, është rezultati më i mirë i mundshëm për Rusinë dhe se presidenti Vladimir Putin duhet ta pranojë.
“Zgjatja e luftës nuk është në interesin e askujt”, tha John Kelley, përfaqësuesi i përkohshëm i SHBA-ve në OKB, duke paralajmëruar se Uashingtoni mund ta shqyrtojë “tërheqjen” nga përpjekjet për bisedime, nëse Rusia “merr vendimin e gabuar për ta vazhduar këtë luftë katastrofike”.
Kelley shtoi se sanksione shtesë kundër Rusisë janë ende në tavolinë. Kremlini tha dje se po pret përgjigjen e Kievit për propozimin e tij për bisedime të reja në Stamboll, më 2 qershor.
Me aq sa di unë, ende nuk ka përgjigje… Duhet të presim një përgjigje nga pala ukrainase, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Këshilltari i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina është e gatshme të marrë pjesë, por dëshiron t’i shohë paraprakisht propozimet e Rusisë për përfundimin e luftës.
Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në takimin e radhës, por duam të kemi një diskutim konstruktiv, tha Andriy Yermak. Kjo do të thotë se është e rëndësishme të marrim draftin e Rusisë.
Peskov e quajti kërkesën e tij “jokonstruktive”. Ukraina vuri në dukje se tashmë i ka dorëzuar Rusisë vizionin e saj për një marrëveshje paqeje. Zelensky e akuzoi Rusinë për “një tjetër mashtrim” duke mos dorëzuar propozimin e saj për paqe para takimit të propozuar në Stamboll.
Edhe i ashtuquajturi “memorandum” që premtuan e që gjoja është përgatitur prej më shumë se një jave, nuk është parë ende nga askush, tha Zelensky. Ukraina nuk e ka marrë. As partnerët tanë nuk e kanë marrë. As Turqia, që e priti takimin e parë, nuk ka marrë agjendën e re. Pavarësisht premtimeve të kundërta, para së gjithash ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj presidentit Trump: një tjetër mashtrim rus.
Rusia deklaroi se do të përdorë takimin e 2 qershorit për të paraqitur një “memorandum” që përshkruan kushtet e saj për një marrëveshje për paqe.
Delegacioni ynë i udhëhequr nga Vladimir Medinsky është gati t’i paraqesë një memorandum delegacionit ukrainas e të ofrojë shpjegimet e nevojshme gjatë raundit të dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll, të hënën, më 2 qershor, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një deklaratë.
Lavrov theksoi se memorandumi do të shpjegojë pikëpamjet e Rusisë “për të gjitha aspektet e kapërcimit në mënyrë të besueshme të shkaqeve rrënjësore të krizës”.