Bota

SHBA, të paktën 4 të vrarë nga të shtënat me armë në një bar në Montana!

Të paktën katër persona u vranë pasi një 45 vjeçar hapi zjarr në një bar në Anaconda, një qytet i vogël në Montana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Departamenti i Drejtësisë dha lajmin e raportoi se i dyshuari është në arrati dhe i armatosur ndaj duhet treguar kujdes nga popullata. Agresori u identifikua si ish-ushtaraku Michael Paul Brown, por nuk jepen më shumë të dhëna, as për motivet e as në lidhje me rrethanat.

45 vjeçari jetonte pranë lokalit ku ndodhi masakra. Autoritetet amerikane njoftuan se shtëpia e tij u kontrollua me detaje nga një ekip SWAT dhe se për herë të fundit, Brown është parë nga dëshmitarë, në zonën Stump Town, në perëndim të Anaconda-s.

Anaconda ndodhet rreth 75 milje në juglindje të Missoula-s, në një luginë të rrethuar nga male. Ky qytet me rreth 9 mijë banorë, u themelua nga manjatët e bakrit që përfitonin nga pronësia e minierave diku pranë fundit të shekullit të 19-të.

Kjo është ngjarja më e fundit që i shtohet bilancit gjithnjë e më tragjik me të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara. Me “të shtëna masive”, Arkivi i Dhunës me Armë,  përcakton çdo ngjarje kriminale në të cilën të paktën katër persona janë qëlluar, por pa përfshirë këtu autorin apo autorët në rastet kur ekzekutohen nga forcat e rendit, ndonjë civil që reagon apo kur zgjedhin t’i japin fund jetës me armët e masakrave.