Hetuesit që po kërkojnë personin e dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij. 31-vjeçari Kirk, aleat i presidentit Donald Trump, u qëllua për vdekje teksa fliste para një turme në një universitet në Utah, të mërkurën.
Qindra agjentë nga 20 agjenci të zbatimit të ligjit janë duke mbledhur të dhëna për të kapur të dyshuarin, por gjatë një konference për media dje në mbrëmje, autoritetet apeluan për ndihmë.
Nuk mund ta bëjmë punën tonë pa ndihmën e njerëzve, tha guvernatori i Utah-s, Spencer Cox për gazetarët, duke shtuar se kanë pranuar më shumë se 7 mijë informata për këtë rast. Na duhet sa më shumë ndihmë. Çdo video apo fotografi që mund të keni, duhet të na e dërgoni.
Policia amerikane beson se agresori qëlloi vetëm një plumb nga një çati, rreth 180 metra larg nga vendi ku gjendej Kirk, duke e kapur në pjesën e qafës. Një video e publikuar gjatë konferencës për media shfaqi një person duke vrapuar mbi çatinë e universitetit, më pas kërceu në tokë dhe u largua nga kampusi drejt disa pemëve ku gjet një pushkë.
Kjo që ndodhi evidenton natyrën thellësisht politike të vrasjes. Arkivoli me trupin e Kirk-ut u transportua në qytetin e tij të lindjes, Feniks, me avionin zyrtar të zv.presidentit JD Vance, Air Force 2.
Gruaja e viktimës, Erika ishte me bashkëshorten e zv.presidentit Vance kur avioni arriti në Arizona, aty ku gjendet selia e organizatës së themeluar nga Kirk, Turning Point USA.
Pas vrasjes, tensionet në SHBA janë rritur. Presidenti Trump iu bëri thirrje mbështetësve që të përgjigjen në mënyrë paqësore e deklaroi për gazetarët se Kirk ishte “kundër dhunës”.
Kështu dua që njerëzit të reagojnë.
Kirk kishte ndikim të madh në politikën amerikane. Ai bashkëthemeloi organizatën Turning Point USA më 2012-ën, për të nxitur qëndrimet konservatore në mesin e të rinjve. Babai i dy fëmijëve numëronte ndjekës të shumtë në TikTok, Instagram e YouTube dhe e përdori këtë audiencë për të përçuar përpara idetë e tij konservatore.
Tre muaj më parë, një person në Minesota vrau një ligjvënëse demokrate dhe bashkëshortin, në shtëpinë e tyre. Ndërkaq, në korrik të vitit 2024, Trump i mbijetoi një atentati gjatë fushatës zgjedhore.