Ndërsa Charlie Kirk, aktivist konservator dhe aleat i ngushtë i presidentit Donald Trump, nuk iu mbijetoi plagëve pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një takimi në një kolegj amerikan, i dyshuari për vrasjen ende është në arrati. Një person i ndaluar në Universitetin Valley në Utah nuk ishte i dyshuari.
Kirk ishte duke rregulluar mikrofonin teksa qëndronte i ulur në një tendë të bardhë dhe pas tij lexoheshin sloganet: “Rikthimi amerikan” e “Më dëshmo të kundërtën”.
Më pas dëgjohet një e shtënë e vetme me armë zjarri dhe Kirk u shfaq duke vendosur dorën e djathtë në plagë. 31 vjeçari pati gjakderdhje në pjesën e majtë të qafës. Pas kësaj, të pranishmit nisën të iknin nga vendi i ngjarjes.
Kirk po fliste në një debat të organizuar nga organizata e tij politike jofitimprurëse, çka pati shkaktuar opinione të ndryshme në kampus. Një peticion online, që iu bënte thirrje drejtuesve të universitetit t’i ndalonin pjesëmarrjen, mori pothuajse 1 mijë firma.
Javën e kaluar, universiteti publikoi një deklaratë duke cituar Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, që mbron të drejtën e lirisë së shprehjes e tubimit.
Ky institucion është i përkushtuar për lirinë e shprehjes dhe dialogut konstruktiv.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zyrtarë republikanë e demokratë dënuan të shtënat. Ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi, shkroi:
Sulmi i tmerrshëm me armë sot në Universitetin Valley në Utah është i dënueshëm. Dhuna politike nuk ka absolutisht vend në kombin tonë.
Kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur dhuna politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rritet në të gjitha pjesët e spektrit ideologjik. Sulmet përfshijnë vrasjen e një ligjvënëseje të shtetit të Minesotës dhe bashkëshortit të saj në shtëpinë e tyre në qershor, zjarrvënien gjatë një parade në Kolorado ku kërkohej lirimi i pengjeve nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Amerika e Bashkimi Europian, si dhe zjarrvënien në shtëpinë e guvernatorit të Pensilvanisë, i cili është hebre, ngjarje që ndodhi në muajin prill. Edhe Trump ka qenë shënjestër e një atentati gjatë një tubimi zgjedhor, vitin e kaluar.
Charlie Kirk ishte drejtues dhe bashkëthemelues i një organizate konservatore rinore. Turning Point u themelua në Çikago më 2012-ën nga Kirk dhe William Montgomery, me qëllimin që në kampuse universitare të promovoheshin idetë për taksa më të ulëta e qeverisje më të kufizuar. Organizata nuk pati sukses të menjëhershëm.
Por, zelli i Kirkut për t’u përballur me liberalët në kampuset universitare mori mbështetjen e një grupi konservatorësh me ndikim. Turning Point mbështeti Trumpin kur fitoi nominimin e republikanëve më 2016-ën për zgjedhjet presidenciale. Në fushatën zgjedhore, Kirk ka qenë ndihmës personal i Donald Trump Jr., djalit të madh të presidentit amerikan.
Më pas, Kirk u bë gjithnjë e më i pranishëm në media dhe vazhdoi të mbështeste politikat e Trump-it. Shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe djali i tij kanë qenë folës në konferencat e organizatës Turning Point.