Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Shehaj nga Lezha: Vota për Mundësinë, më e vlefshmja!

Agron Shehaj, në një takim elektoral sot në Lezhë, u shpreh se vota për Partinë Mundësia është vota më me vlerë që qytetarët kanë dhënë që nga viti 1991 deri më sot.

Vota për partinë Mundësia është vota më me vlerë që mund të jepni nëse nuk keni votuar asnjëherë, ose është vota më me vlerë që keni dhënë nga viti 1991 e deri më sot. Nuk ka votë më me vlerë se për Partinë Mundësia. Vetëm nëse votoni për Partinë Mundësia, ju mund të jeni 100% të sigurt që vota juaj nuk do të shitet. Dhe vota juaj do të shkojë për një opozitë të vërtetë, u shpreh ai.

Shehaj hodhi poshtë edhe një tjetër shqetësim që qytetarët mund të kenë lidhur me manipulimin e votës.

Gënjeshtra tjetër e madhe është “do ju vjedhim votat”. Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë. Asnjë. Zero. Sa prej jush kanë qenë në qendra numërimi? Të gjithë ju që keni qenë në qendra numërimi e dini shumë mirë që procesi nuk është më si ai i viteve ’90. Sot ka kamera, ka skanim të votës, ka monitorim të votës dhe është e pamundur që të vidhen votat, vuri në dukje Shehaj.

Ai garantoi se Partia Mundësia do të ketë vëzhgues në çdo qendër numërimi dhe se procesi do të filmohet dhe kontrollohet disa herë, për të siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe asnjë votë të mos shkojë dëm.

Në vijim, Shehaj theksoi edhe një element kyç të Kodit Zgjedhor.

Kodi Zgjedhor na jep të drejtën të hapim çdo kuti, jo një kuti, jo 10% të kutive, por të gjitha kutitë, pa dhënë asnjë arsye. Thjesht varet nga dëshira jonë. Mjafton të paguash një tarifë prej 20 eurosh për çdo kuti që kërkon të hapësh. Ne mund të hapim të gjitha kutitë edhe këtu në Lezhë, nëse kemi dyshime që votat tona janë manipuluar, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.