Policia e Shtetit dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit – Bashkia Tiranë kanë konfiskuar për interes publik një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, pasi rezultoi i ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij. Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi.
Referuar Aktit Normativ që qeveria ka miratuar në tetor 2025, tejkalimi i lejes së ndërtimit rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik.
“Tek të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes për qëllime fitimi, mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, konfiskohet, për interes publik apo strehim social, i gjithë objekti apo vendoset prishja e plotë e tij nga organet përgjegjëse“, parashikon Akti Normativ.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.