Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka reaguar për herë të parë ndaj hetimit që po zhvillon SPAK në ngarkim të saj.
Në një deklaratë për shtyp, Balluku shprehet se ndaj saj po zhvillohet gjyq publik, por gjithmonë do e mbështesë drejtësinë në punën e saj.
“Është kënaqësi dhe emocion i veçantë që të jem me ju dhe duhet thënë që çdo rrugëtim ka fillimin dhe fundin e tij. Sot jam këtu për t’i vënë një fund këtij rrugëtimi që kemi bërë së bashku, por me gjurmë të jashtëzakonshme për infrastrukturën. Dua të them që kam qenë me fat që këtë rrugëtim e kam bërë me ju. Burra dhe gra të përkushtuar për të realizuar vizionin e një lideri të madh siç është Edi Rama.
Më vjen mirë që gjatë këtij rrugëtimi jemi përballur me vështirësi sfiduese që na kanë bërë të fortë. Kanë ngritur skuadrën më të mirë dhe më profesionale. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është shembull sesi një skuadër ia del të çojë përpara vepra të cilat mendoheshin të parealizueshme. Nuk më ndihmon fare t’ju shoh përballë me emocion. Në krahun tim është ulur një prej jush dhe do desha të thoja dy fjalë sa i përket kapitalit human që për qeverinë shqiptare është aseti më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm. Në krahun tim kam ministrin e ri që sapo është betuar.
Unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale, as në banaqe mediatike por duhet të ketë rrjedhën e saj siç e parashikon kushtetuta apo ligji. Kam zgjedhur të mos analizoj, të mos komentoj dhe të jem konsistente në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë.
Nëse do t’i ktheheni deklaratave të mia nuk do gjeni kurrë një deklaratë të kundërshtojë tjetrën. Besoj se drejtësia e re do të jetë e lirë dhe e pavarur, si produkt i vizionit të Edi Ramës. Ajo reformë u krye për t’i kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë. Unë besoj te kjo drejtësi, nuk do anatemoj kur kjo drejtësi prek interesat e mia personale.
Prokurorë e gjyqtarë do bëjnë detyrat e tyre pa ndikuar nga gjyqet publike, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat. Hetimi që ka nisur prej muajsh nuk e kam penguar kurrë as në pozicionin tim si ministër apo si qytetare e Republikës. Drejtësia të vijojë të nxjerrë të vërtetën. Nuk kam as 300, as 30 apartamente.
Nuk kam as limuzina as jahte as helikoptere. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet me lehtësinë me të madhe këtë por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqe publike.
Ndoshta kurrizi ma mban sepse jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton për shkak të rezultateve që kjo qeveri ka sjellë”-u shpreh Balluku.