Lumi Buna në Shkodër ka pësuar rritje të nivelit të ujit, por fatmirësisht, kjo nuk e zgjeron sipërfaqen e përmbytur.
Në Drin, niveli i ujit ka rënë si pasojë e uljes së shkarkimeve.
Zona e Obotit sërish nuk kalohet me mjete të vogla. Në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.
Pas dy ditëve me shira të dendur, në Kukës kanë nisur reshjet e dëborës duke sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullim apo furnizim, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me goma dimërore dhe të jenë të pajisur me zinxhirë, sidomos në akset malore.
Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit nën reshje dëbore, me intensitet nga i ulët, në mesatar. Reshjet janë të pranishme në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa intensiteti më i lartë raportohet në Dardhë, Voskopojë, Ersekë dhe në Qafë Thanë.
Aktualisht, në Qafë Thanë po punohet me disa mjete borëpastruese për kriposjen e rrugëve. Deri më tani nuk raportohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve, pavarësisht se reshjet e dëborës vijojnë.
Gjatë natës, në aksin Hani Hotit-Dogana Vermosh ka patur reshje dëbore në lartësi mbi 1000 m, me rreth 15 cm. Për momentin, reshjet kanë pushuar. Grupet e punës vazhdojnë pastrimin dhe kriposjen e aksit.
Borë edhe në aksin Bogë-Theth, por janë marrë masat për pastrimin, si edhe kriposjen e rrugës.
Në jug të vendit, dëbora ka zbardhur Llogaranë. Autoritetet iu bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të lëvizin me kujdes dhe të jenë të pajisur me goma dimërore.