Auto & Moto

Shitet në ankand Ferrari klasik në gjendje të mjerueshme!

Një makinë klasike italiane e gjetur në një hambar është shitur së fundmi në ankand për 124,000 euro. Pavarësisht se ishte në gjendje të mjerueshme, Ferrari 250 GTE i vitit 1962 kishte një mori ofertash, përpara se të shkonte përfundimisht te një blerës në Kent, Angli. Modelit klasik italian do t’i duhet t’i bëhet një restaurim i plotë dhe për këtë duhet një buxhet i madh për ta rikthyer atë në gjendjen e mëparshme.

Matthew Parkin, i cili përfaqëson ofertuesit Brightwells u informua për vendodhjen e Ferrarit nga një mik. Makina kishte qëndruar për 40 vjet në një hambar të lagësht të Uellsit në kohën kur Matthew dëgjoi për të. “Hambari po pastrohej, kur pamë Ferrarin ishte shumë emocionuese”, tha ai.

Rikujtojmë, se Ferrari ka prezantuar makinën e re Ferrari Roma Spider, që është e ngjashme me Ferrari Roma të prezantuar në vitin 2019, por me mundësinë për të hapur “çatinë”. Motori i makinës së markës italiane është i montuar në pjesën e përparme dhe është një turbo V8. Edhe pse nuk ka një çmim zyrtar, ky supermjet mendohet se do të kushtojë rreth 300 000 euro. Gjithashtu, Ferrari nuk ka treguar se kur do të dalë në shitje kjo makinë.