Viti 2024 mund të ketë qenë një vit i shkëlqyer për Apple në frontin e telefonave inteligjentë, por dërgesat e orëve nuk ndoqën të njëjtat hapa. Sipas një raporti nga Counterpoint Research, dërgesat e Apple Watch ranë me 19% në vitin 2024. Po sipas raportit, Apple pa një rënie të kërkesës për orët e saj inteligjente në të gjitha rajonet përveç Indisë. Apple pa një rënie të ndjeshme në të gjithë Amerikën e Veriut, e cila tradicionalisht ka qenë nxitësi kryesor i rritjes.
Përveç kësaj, tremujori i katërt i vitit 2024 shënoi tremujorin e pestë radhazi të rënies së dërgesave të Apple Watch. Raporti i Counterpoint sugjeron se mungesa e një modeli të ri Apple Watch SE ishte një faktor i madh për rënien e dërgesave. Përmirësimet minimale në Watch Series 10 ishin një faktor tjetër i madh për rezultatet zhgënjyese. Nga ana tjetër, të gjithë konkurrentët e Apple panë rritje të dërgesave të orëve inteligjente. Watch SE i gjeneratës së ardhshme së bashku me një Watch Ultra 3 të përditësuar mund ta ndihmojnë Apple të rikthehet në rrugën e duhur, por do të duhet të shohim se si do të shkojnë gjërat këtë vit.
Ndërkaq, modelet e reja të iPhone do të lançohen në dy faza, gjatë periudhave të ndryshme të vitit. Në vend që të zgjidhni midis katër modeleve të reja të iPhone çdo vjeshtë, në të ardhmen mund t’ju duhet të zgjidhni midis tre iPhone-ve të rinj si në pranverë ashtu edhe në vjeshtë. Apple po planifikon të ndryshojë ciklin e lançimit të smartfonëve, duke filluar me modelin iPhone 18 në vitin 2026. Fillimisht do të prezantohen modelet më të shtrenjta.
Kjo do të thotë që modelet Pro do të vazhdojnë të shfaqen gjatë gjithë vjeshtës, ndërsa modelet standarde të iPhone do të shtyhen për në pranverë. Kjo përfaqëson një ndryshim të madh në orarin aktual të lansimit të telefonave të Apple, por sugjeron që kompania nga Cupertino mund të jetë duke bërë vend për modele të tjera, siç është një iPhone i palosshëm. Nëse këto raporte rezultojnë të sakta, Apple duhet të lansojë iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe ndoshta një iPhone të palosshëm në vjeshtën e vitit 2026, ndërsa iPhone 18 standard, iPhone 18 Slim dhe iPhone 18e do të mbërrijnë në pranverën e vitit 2027.