Aktualitet Politikë Sociale

“Shkatërron familjen”, protesta kundër ligjit për barazinë gjinore/Berisha: Produkt i demonit Soros!

Nga jashtë Kuvendit ku u mbajt një tubim “Pro familjes”, kundër projektligjit për barazinë gjinore e që sot votohet në Parlament, Sali Berisha e quajti vepër të George Soros-it, që siç theksoi “synon shkatërrimin e familjes shqiptare”.

Sjellin në parlament një ligj të doktrinës post-marksiste, doktrinës më çnjerëzore që qarkullon sot në botë, doktrinë që dallon nga ajo e Marksit, sepse bazohej në shkatërrimin e pronës private, kurse kjo shkon edhe më tej në shkatërrimin e familjes si qeliza, si themeli i një shoqërie.

Ky ligj, i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys Kushtetutën e vendit. Përmbys kodet e vendit. Përmbys trashëgiminë pozitive mijëravjeçare dhe penalizon, ndëshkon të gjithë ata të cilët duhet të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj.

Penalizon ligjet, Kushtetutën e vendit, nenet e familjes. Penalizon dhe përmbys nenet e lirisë së besimit. Nenet e lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij. De facto, në emër të përafrimit me direktivat europiane, që është edhe mashtrimi më i madh, ligji çon me shpejtësi drejt totalitarizmit. Ky ligj, për shqiptarët, i garantoj se është identik dhe i njëjtë me atë ligj që shpalli Shqipërinë shtet ateist në Kushtetutën më të keqe të vendit, atë të vitit 1974.

Në germë nuk e shpreh këtë ligji, por ligji duke detyruar ideologjinë e gjinisë me përkatësi të shumëfishtë, e gjinisë në të gjithë diversitetin e vet, ligji de facto dorëzon përfundimiisht Kuranin, Biblën, Talmudin në duart e censurës dhe të shtetit. Dhe pas miratimit të këtij ligji, asnjë nga udhëheqësit moralë të besimeve fetare, nuk do mund t’i lexojnë ato ashtu siç janë sepse do konsiderohen se diskriminojnë.

Por, ligji ndëshkon prindërit, të cilët do të mund të penalizohen në rast se duan që djali i tyre i lindur djalë, këta duan që ai të rritet djalë dhe vajza, vajzë. Pra, nëse ata i çojnë në shkollë me qëllim që t’u respektohet identiteti gjinor, ata do dënohen sepse faktikisht tani e tutje identitetin gjinor nuk do e përcaktojë natyra, biologjia, por do e përcaktojë shkolla dhe shteti me shumësinë e identiteteve gjinore, me diversitetin e tyre.

Kreu i opozitës tha se pretendimi se ky ligj është përafrim me BE-në, është mashtrimi më i madh.

Sepse direktivat e BE-së që citohen në materialin e këtij ligji, në asnjë rresht, në asnjë frazë nuk bëjnë fjalë për shumësi, për gjini me diversitet të gjerë, nuk bëjnë fjalë për përkatësi gjinore të shumëfishta. Pra, janë të gjitha mashtrime që bëhen në emër të një ideologjie, demoni i së cilës, monstra e së cilës është Xhorxh Sorosi me miliardat e tij.

De facto, ligji shënon vendosjen e ekstremit të majtë, se pas miratimit të tij zhvlerësohen të gjitha përcaktimet ligjore të mëparshme të Kushtetutës, të kodeve e triumfon çnjerëzorja, triumfon ajo ideologji, e cila për të krijuar njeriun e ri, komunizmi njeriun e ri do e krijonte pa pronë, kurse post-marksisti, njeriun e ri e ka me gjini të shumëfishtë apo me diversitet të gjerë gjinor.

Ambasadorit të BE-së i them kaq: zotëri, ne absolutisht respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet e tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare….

Dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar.

Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale, fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE-së bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Të dalë, ta nxjerrë aty!

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dënoi ashpër deklaratën e bërë nga Berisha se ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e projektligjit “Për barazinë gjinore”, duke e cilësuar, “sulm”.

Balla theksoi se Berisha vijon sulmet e përsëritura kundrejt ambasadorëve, duke shtuar se kjo ka qenë dhe një prej arsyeve për shpalljen e tij “non grata” në Amerikë. Më tej nënvizoi se do të depozitojë një kërkesë pranë Komisionit të Etikës, që Berisha të japë shpjegimet mbi akuzën.