Bota Botë e Çuditshme

Shkencëtarët zbulojnë arsyen e shkrirjes së papritur të akullit në Antarktik pas vitit 2016!

Një studim i ri shkencor ka hedhur dritë mbi një fenomen që ka habitur ekspertët për vite me radhë; shkrirjen e shpejtë të akullit në Antarktik pas vitit 2016. Sipas kërkimit, arsyeja kryesore lidhet me nxehtësinë e grumbulluar në oqeanin përreth kontinentit. Për shumë vite, reshjet e shumta krijonin një shtresë sipërfaqësore më pak të kripur, e cila vepronte si barrierë dhe pengonte nxehtësinë të ngjitej në sipërfaqe.

Megjithatë, shtimi i stuhive në rajon ka ndryshuar këtë ekuilibër, duke lejuar që uji i ngrohtë nga thellësia të ngjitet në sipërfaqe dhe të përshpejtojë shkrirjen e akullit. Shkencëtarët kanë arritur në këto përfundime duke analizuar të dhëna të mbledhura nga pajisje robotike të vendosura në oqean, të cilat për më shumë se dy dekada kanë monitoruar temperaturën dhe përbërjen e ujërave.

Studimi tregon gjithashtu se ky proces nuk ndodh në mënyrë të njëjtë në të gjitha zonat, duke lënë ende pyetje të hapura për kërkime të mëtejshme mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në rajone të ndryshme të planetit. Ky zbulim konsiderohet një hap i rëndësishëm për të kuptuar më mirë dinamikat e klimës dhe rreziqet që lidhen me rritjen e nivelit të deteve në të ardhmen.

Antarktida po përballet gjithnjë e më shumë me pasojat e ndryshimeve klimatike, ndërsa një studim i ri tregon për humbje të mëdha të akullit gjatë tre dekadave të fundit. Shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë analizuan imazhe satelitore të mbledhura gjatë 30 viteve dhe zbuluan se kontinenti ka humbur një sasi të madhe akulli. Sipas tyre, nëse kjo sasi do të shtrihej në tokë, do të mbulonte një sipërfaqe sa dhjetë herë qyteti amerikan Los Angeles.

Rezultatet e studimit të publikuara në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences tregojnë se zonat më të prekura janë Antarktida Perëndimore, Gadishulli Antarktik dhe disa pjesë të Antarktidës Lindore. Në këto rajone janë shkrirë rreth 5 mijë milje katrore akull i lidhur me tokën që nga viti 1996. Hulumtimi përfshin gjithashtu një hartë të detajuar të vijës së ashtuquajtur grounding line, pika ku akulli ndahet nga shkëmbi dhe fillon të lundrojë mbi oqean. Kjo vijë konsiderohet një nga treguesit më të rëndësishëm për të matur stabilitetin e shtresave të mëdha të akullit.