Nëse jeni të apasionuar pas kulturës aziatike, por jo vetëm, ‘Shogun’ është sugjerimi im për këtë javë.
Një serial i vlerësuar me 14 çmime ‘Emmy’, një rekord ky që i thotë të gjitha.
Një performancë fantasike e ‘legjendës’ japoneze dhe hollivudiane të kinematografisë Hiroyuki Sanada, i cili me mjeshtëri ka përsosur rolin e tij si aktor protagonist dhe si producent.
Ai ishte thellësisht i përfshirë në prodhim, duke siguruar saktësinë dhe përfaqësimin autentik të kulturës japoneze. Ky rol bënte që ai të ishte çdo ditë në set edhe kur nuk kishte rol, duke udhëzuar aktorët e tjerë japonezë.
Gjithashtu pjesë e kastit është edhe aktorja japoneze Anna Sawai e cila shkroi historinë si aktorja e parë aziatike, duke fituar çmimin e aktores kryesore në një seri dramatike në ‘Emmy Awards’. Roli i saj spikat dhe na shërben si një guidë për kulturën japoneze deri në detajet më të vogla.
Kostumografia, skenari, lokacionet, betejat dhe teksti i mirëshkruar e bëjnë këtë serial gati perfekt krahasuar edhe me ‘Game of Thrones’.
Cosmo Jarvis nuk duhet lënë pas, me një personazh i cili sa mistik aq edhe i lexueshëm e bën shikuesin të ‘gozhdohet’ në ekran për të parë se deri ku e ka limitin historia e tij.
I vendosur në Japoninë e viteve 1600, Lord Yoshii Toranaga lufton për jetën e tij. Teksa armiqtë e Këshillit të Regjentëve bashkohen kundër tij, një anije misterioze evropiane gjendet e bllokuar në një fshat peshkimi aty pranë. Një anije me një ekuipazh që do ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve deri në nivele perandorake.
Me një kombinim mbresëlënës të estetikës japoneze, politikës feudale dhe përplasjes kulturore, seriali ofron një eksperiencë kinematografike që arrin të jetë njëkohësisht e thellë dhe spektakolare.
Përdorimi i peizazheve japoneze, kostumet autentike dhe muzika tradicionale krijojnë një atmosferë të ndjerë e të përfshirë, që të zhyt në epokën e shekullit XVII.
Hiroyuki Sanada (në rolin e Lord Toranaga) jep një interpretim të jashtëzakonshëm. Ai e bart dramën politike dhe njerëzore me një dinjitet që rrallë shihet në televizion.
Ndryshe nga versioni i vitit 1980, ky Shōgun vendos në qendër perspektivën japoneze jo perëndimore, duke e parë John Blackthorne-in (eksploratorin anglez që zbarkon në fshat) si një i huaj në një botë që nuk e kupton dot.
Megjithatë, seriali nuk është pa të meta. Ritmi i tij është i ngadaltë në disa episode, dhe ndonjëherë dialogjet mund ta ngarkojnë shikuesin me informacion historik. Po ashtu, marrëdhënia mes Blackthorne dhe Mariko, ndonëse e ndërtuar me kujdes, mund të duket e përmbajtur emocionalisht për publikun perëndimor që pret më shumë pasion sesa nënkuptim.
Në thelb, Shōgun është një reflektim mbi pushtetin, nderin dhe përplasjen e botëkuptimeve. Seriali flet për mënyrën se si kultura dhe kodi moral përcaktojnë fatin individual, një temë që mbetet universale. Në këtë kuptim, ai është më shumë se një dramë historike; është një meditim mbi mënyrën si njerëzit përpiqen të gjejnë kuptim dhe dinjitet në një botë të pamëshirshme./EdiHallaçi