Kolumbiani Freddy Guarin në një intervistë të fundit shokon me rrëfimin mbi gjendjen e tij kur luante në Itali për Interin. Ai iu referua problemit që hasi me alkoolin, tre tentativa për vetëvrasje që bëri, por edhe faktit që iu desh të mos i shihte fëmijët e tij për të paktën katër vjet.
Si e jetuat atë periudhë?
“Trokita në portat e ferrit. Më duhej t’i prekja për t’u rilindur. Gjithmonë them se veset si alkooli kanë katër destinacione: braktisja, spitali, burgu, vdekja.”
Ju ku përfunduat?
“Arrita të tretin. Kisha ndërtuar një burg të brendshëm për veten time. Isha një hap larg të fundit, fundit të gjithçkaje.”
Freddy Guarin është i qetë. Ai është ulur në një qendër tregtare dhe po pi kafe. Ndodhet në Kolumbi, ku një vit më parë filloi një jetë të re. Në jetën e tij të mëparshme, ai kishte përjetuar vetminë, depresionin dhe alkoolizmin, madje duke u përballur me kërcënimin e vetëvrasjes.
“Tani, me fondacionin tim, dua t’i ndihmoj të tjerët të shmangin të njëjtat gabime.”
Ai mbërriti në Itali në vitin 2012.
“Një ëndërr e bërë realitet. Interi është ende si një familje për mua.”
Dy imazhe. Shkëmbimi i dështuar midis teje dhe Vuçiniçit dhe goli në derbi.
“I pari ishte një moment i vështirë. Klubi më kishte informuar për ofertën e Juventusit. Doja të qëndroja, por Mazzarri donte Vuçiniç. Dhe tifozët menduan se unë isha ai që po nxisja largimin e tij. Goli kundër Milanit ishte i fundit i imi me fanellën Zikaltër, ishte i veçantë. Më emocionon ende.”
Kur filloi sëmundja?
“Gjatë muajve të mi të fundit tek Interi. Fillova të pi. Por alkooli nuk ishte problemi i vërtetë.”
LEXO EDHE: E bujshme nga Brazili, shkarkohet Ancelotti pas vetëm 5 muajsh në krye të pankinës!
Na tregoni më shumë.
“Ndihesha keq për situatën time familjare. Po ndahesha nga ish-gruaja ime, jetoja në një shtëpi tjetër dhe isha larg fëmijëve të mi. Nuk mund ta pranoja. Alkooli ishte një përpjekje për t’u përballur me shqetësimin tim.”