Bota

Shokuese në Premier League, futbollisti 18-vjeçar i Chelsea dërgohet me urgjencë në spital!

Një moment dramatik ka ndodhur në ndeshjen e Premier League mes Chelsea dhe Nottingham Forest, ku talenti 18-vjeçar Jesse Derry është dërguar me urgjencë në spital pas një përplasjeje të fortë në fushë. Incidenti ndodhi gjatë pjesës së parë, kur Derry u përplas kokë më kokë me mbrojtësin e Nottingham Forest, Zach Abbott, teksa të dy po tentonin të godisnin topin me kokë brenda zonës.

Përplasja u konsiderua shumë e rëndë, duke lënë të riun të shtrirë në tokë dhe në nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë në fushë, duke i dhënë oksigjen lojtarit përpara se ai të largohej me barrelë mes duartrokitjeve të tifozëve. Më pas, ai u transportua me ambulancë drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm.

Ndërkohë, Abbott, edhe pse i përfshirë në përplasje, arriti të largohej vetë nga fusha, por u zëvendësua për arsye sigurie. Për shkak të natyrës së rëndë të incidentit, transmetuesi televiziv refuzoi të shfaqte menjëherë pamjet e përsëritura të momentit, ndërsa atmosfera në stadium u mbush me shqetësim për gjendjen e lojtarit.