Aktualitet

Shoqata e Bimëve Mjekësore: Tarifa me SHBA-të do të ulë eksportet, të rimbursohet 10% TVSH për fermerët!

Më 5 prill 2025 hyri në fuqi tarifa bazë prej 10% mbi të gjitha importet në SHBA, duke përfshirë ato nga Shqipëria. Paketa e tarifave pritet të ndikojnë ndjeshëm në eksportet shqiptare drejt SHBA-ve, veçanërisht në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të tregtisë mes dy vendeve.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Mjekësorë dhe Aromatike, Filip Gjoka gjatë një konferencë për shtyp deklaroi se kjo mund të çojë në ulje të kërkesës për produktet shqiptare dhe reduktim i vëllimit të eksporteve, duke goditur direkt mijëra fermerë dhe biznese të vogla në zonat rurale duke ulur fitimet e tyre.

Gjoka rekomandoi një paketë masash në ndihmë të sektorit, që nga rimbursim i menjëhershëm 10% TVSH për të gjithë fermerët në sektor; Kompensim i zhvlerësimit të euro/dollarit përmes një kursi të stabilizuar fiks, siç bëjnë Serbia dhe Maqedonia e Veriut;

Kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit përsa i përket paketës së re të politikave ekonomike të shpallura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku nuk përjashtohet edhe Shqipëria. Padyshim që ky nuk është një lajm i mirë për ne në kohën kur kjo industri zë mbi 14% të gjithë eksporteve që kryhen ne BE dhe Amerike.

Nga zero që është aktualisht, çdo ngarkesë drejt ShBA do të ketë një tarifë doganore prej 10%, që rrjedhimisht krijon një tjetër vështirësi për industrinë tonë. Nisur nga kjo situatë IBMA i bën thirrje qeverisë Shqiptare që të ngrejë një grup pune me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave për të hartuar një plan emergjent masash për stabilizimin e sektorit për të zbutur efektin negative.

Ndërkohë në çdo rast theksojmë dëshirën tonë për të ruajtur marrëdhëniet ekonomike pozitive me SHBA-në , madje për ti përforcuar më tej dhe presim bashkëpunim konstruktiv nga të gjitha palët për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

Konkretisht vendosja e tarifës 10 % për Eksportet Shqiptare përkthehet në rritje të kostos së eksportit. Rritje të çmimit të produkteve Shqiptare në tregun Amerikan duke i bërë ato më pak konkurruese.

Kjo mund të çojë në ulje të kërkesës për produktet Shqiptare dhe reduktim I vëllimit të eksporteve duke goditur direkt mijëra fermerë dhe biznese të vogla në zonat rurale duke ulur fitimet e tyre.

Gjithashtu Kompanitë që kanë investuar në teknologji dhe standarde cilësie për tregun Amerikan tani përballen me pasiguri financiare, duke ngadalësuar zhvillimin e sektorit.

Teksa kërkojmë ndihmë tek qeveria Shqiptare dhe bëjmë thirrje për ngritjen e një grupi pune, ju parashtrojmë në emër të shoqatës sonë edhe propozimet për të kapërcyer situatën e vështirë ku ndodhemi:

PAKETË MBËSHTETËSE PËR FERMERËT:

Rimbursim i menjëhershëm i 10% TVSH për të gjithë fermerët në sektor.

Kompensim i zhvlerësimit të euro/dollarit përmes një kursi të stabilizuar fiks, siç bëjnë Serbia dhe Maqedonia.

Zbritje tatimore për kompanitë eksportuese që përdorin standarde cilësore të larta.

Heqje e tatimit mbi pagat deri në 80,000 lekë për punonjësit sezonalë.

Qeveria të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore për 5 muaj gjatë sezonit të grumbullimit.

PROBLEMIKAT E AKUMULUARA TË SEKTORIT:

– Mungesa e fuqisë punëtore dhe largimi i banorëve nga zonat rurale drejt zonave urbane si dhe emigracioni

– Kostot e larta në prodhim, ruajtje në magazina, transport si dhe rendimenti i ulët

-Pamjaftueshmëria e subvencioneve për të gjithë fermerët – Mungesa e investimeve në kompanitë që duan të rrisin cilësinë dhe standardet si dhe ndërprerja e Fondeve të BE-së

-Tarifa 10% e vendosur nga Presidenti Trump krijoi një tjetër vështirësi për këtë industri.