Aktualitet

Tarifat amerikane mund t’u kushtojnë eksportuesve të paktën 7 milion euro në vit!

Tarifat e reja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të aplikohen ndaj eksporteve shqiptare në masën 10% dhe prekin 1.9% të eksporteve totale të vendit tonë. Janë në bazën më të ulët, 10%, se sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, ato mesatare që Shqipëria aplikon për importet amerikane janë po 10%.

Vitin e kaluar, eksportet shqiptare në SHBA arritën vlerën 7 miliardë lekë, gati dyfish me 2019-ën. Tarifimi me 10% i tyre vlerësohet në kosto shtesë prej të paktën 7 milion eurosh.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT-i, rreth 41% e eksporteve shqiptare në SHBA dominohen nga “Giza dhe Çeliku”, që përfaqësojnë disa produkte e nënprodukte të kromit. Grupi i dytë më i madh i eksportit janë bimët mjekësore dhe farat vajore, me 23% të totalit.

Më tej, 3% e eksporteve shqiptare në SHBA përfaqësohen nga vajra e rrëshira që shërbejnë për industrinë e kozmetikës, krevatet dhe mobiliet, produkte të peshkut, etj. Megjithëse me distancë të largët, Shtetet e Bashkuara janë partnerë tregtarë të rëndësishëm të vendit tonë. Vitin e kaluar, Amerika u rendit e pesta për nga vlera e importeve dhe e 13-ta për eksportet.

Importet amerikane shënuan 20.5 miliardë lekë më 2024-ën, duke u rritur me 19% nga 2023-shi. Katër vitet e fundit, importet nga SHBA-të u rritën me 104% në vlerë.

Vitin e kaluar, SHBA-të ishin furnizues kryesorë të Shqipërisë me mallra, bashkë me Italinë, Kinën, Greqinë e Gjermaninë. Madje, importet nga Amerika ishin më të larta në vlerë edhe se të Kosovës. Importet amerikane zunë 2% të totalit të importeve më 2024-ën.

Gjithashtu, tregu amerikan është i rëndësishëm për eksportet tona, pasi në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë (nëpërmjet Gjermanisë), Shqipëria çon bimët mjekësorë në tregjet amerikane. Vitin e kaluar, eksportet e Shqipërisë drejt SHBA-ve arritën 7 miliardë lekë me rënie vjetore 27%, si rrjedhojë e dobësisë që pësuan në përgjithësi eksportet tona nga dobësimi i euros.

Importet nga SHBA-të dominohen nga mjetet e transportit, lëndët djegëse dhe avionët e pjesët e tyre. Politika tarifore që po ndjek administrata e re amerikane mund të ndikojë Shqipërinë tërthorazi në krahasim me mallrat që tregtohen drejtpërsëdrejti. Ekspertët e ekonomisë besojnë se lufta tregtare mund të sjellë një valë të re çmimesh në tregjet globale, nga të cilat Shqipëria mund të ekspozohet tërësisht.

Tregtia e Shqipërisë me SHBA-të zuri 2.1% të volumit tregtar me jashtë vitin e kaluar duke mbetur e pandryshuar në dekadën e fundit.

Meqenëse Amerika është bërë tregu më i rëndësishëm i eksportit për BE-në gjatë dekadës së fundit, ndikimi negativ i tarifave të larta të SHBA-ve mbi mallrat dhe shërbimet europiane do të jetë i rëndësishëm për shtetet e Europës Lindore, siç analizon Instituti për Studime ekonomike i Vjenës.

Ndërsa flukset e drejtpërdrejta tregtare midis rajonit tonë dhe SHBA-ve janë të kufizuara, kërkesa më e ulët për produkte industriale europiane do të ndikojë negativisht Europën Qendrore dhe Lindore./Monitor