Një shpërthim i fuqishëm u regjistrua në orët e para të mëngjesit në zonën e Institutit në Kamëz, në rrugën “Arjan Sala”. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:55, teksa dyshohet se një sasi lënde plasëse ishte vendosur në murin rrethues të banesës së deputetit demokrat Xhelal Mziu.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale e për fat të mirë, nuk raportohen të lënduar.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, mësohet se janë mbledhur edhe filmimet e disa kamerave në zonë.