Aktualitet

Shpërthim me lëndë plasëse në derën e jashtme të shtëpisë së Armand Dukës! Reagon kreu i FSHF

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar mbrëmjen e djeshme në derën e jashtme të shtëpisë së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës në Durrës.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:20, ndërsa bëhet me dije se lënda plasëse ishte në një sasi shumë të vogël, teksa nga shpërthimi janë konstatuar vetëm dëme të vogla materiale.

Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa Duka nuk ka qenë në banesë gjatë shpërthimit, por ka mbërritur aty pak minuta më vonë.

Për mediat Armand Duka u shpreh se i vendosën dinamit te dera e shtëpisë në një kohë kur kishte familjen brenda. Duka tha se kamerat e sigurisë kanë filmuar një person me kapuç që shikohet kur vendos lëndën plasëse.

Në vijim të daljeve të tij publike, Duka ka deklaruar një mesazh kërcënues në telefonin e tij ku thuhet se i rrezikohet jeta në rast se nuk do të jepë dorëheqjen për 24 orë.