Sot dita e tretë e konfliktit midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit. Ushtria izraelite lëshoi urdhër evakuimi në Liban. Një zëdhënës i IDF-së tha se “kushdo që ndodhet pranë Hezbollahut, po e vë jetën e tij në rrezik”. Në Liban raportohen 31 viktima e 149 të plagosur.
Lëvizja Hezbollah në Liban që mbështetet nga Irani, mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit. Dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit, bastion i grupit militant.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump sugjeroi se pa Ajatollah Ali Khamenein, Irani mund të veprojë si Venezuela, ku vetëm udhëheqësi Nicolas Maduro u arrestua dhe u rrëzua në sulmin ushtarak amerikan. Pjesa dërrmuese e qeverisë mbeti e pandryshuar, gati për bashkëpunim pragmatik me Uashingtonin.
Izraeli e Hezbollahu shkëmbyen zjarr, teksa konflikti me Iranin zgjerohet. Sulme raportohen edhe në Bahrejn, Emirate të Bashkuara Arabe, Katar, Jordani e Kuvajt. Izraeli paralajmëroi intensifikim të goditjeve ndaj Republikës Islamike. Presidenti Trump, tha se operacioni ushtarak i SHBA-ve mund të zgjasë për javë të tëra. Ndërkaq, anijet me naftë mbeten të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Tel Avivit dhe Dubait. Shkak, situata e tensionuar në Lindjen e Mesme që ka çuar edhe në mbylljen e hapësirave ajrore. Sipas një deklarate zyrtare, fluturimet do të jenë të pezulluara deri në një njoftim të dytë.