Politikë

Shqipëria në Bordin e Paqes, PS mbledh nesër Kuvendin: Miratim i marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar!

Partia Socialiste ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit ditën e enjte për miratimin e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar.

Kërkesa ka të bëjë me projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, si dhe miratimin e tij.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste thotë se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Rregulloren e Kuvendit, duke vlerësuar rëndësinë e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, në funksion të angazhimit të vazhdueshëm të Republikës së Shqipërisë për promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Bordit të Paqes, kërkojmë:

Thirrjen e Kuvendit të Shqipërisë në Seancë Plenare, më datë 22 Janar 2026, ora 10:00.

Por Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë të ditur se deri në orën 16:40 të ditës së sotme nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për zhvillimin e një seance plenare gjatë kësaj jave.

Sipas njoftimit, me vendim të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit është përcaktuar se këtë javë nuk do të zhvillohet seancë plenare. Seanca e rradhës është planifikuar për të mbajtur më 27 janar.

Partia Demokratike thekson se sipas pikës 3 të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës duhet të njoftohen për deputetët dhe publikun si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar.

“Në respekt të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, Kuvendi duhet të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja, duke garantuar përgjegjshmërinë e secilit deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues,” thekson Grupi Parlamentar i PD-së në njoftim.