Edhe pse gushti ka qenë tradicionalisht muaji i pushimeve verore, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po zgjedhin të udhëtojnë në shtator.
Arsyeja? Ky muaj po ofron një kombinim perfekt mes çmimeve më të ulëta, qetësisë dhe kushteve ideale për relaks.
Pas përfundimit të kulmit të sezonit turistik, shumë hotele dhe resorte ulin ndjeshëm tarifat, duke e bërë shtatorin një periudhë më të përballueshme financiarisht, sidomos për familjet dhe çiftet që kërkojnë të kursejnë.
Një tjetër avantazh i madh është qetësia. Plazhet nuk janë më të mbipopulluara si gjatë korrikut dhe gushtit, duke u ofruar pushuesve hapësirë dhe relaks larg turmave.
Edhe klima është më e butë: temperaturat mbeten të ngrohta, por pa vapën e fortë që shpesh bëhet e lodhshme në mesin e verës.
Eksperienca e pushimeve në shtator vlerësohet gjithashtu për shërbimin më cilësor. Me më pak turistë, stafi i hoteleve dhe restoranteve ka më shumë kohë për secilin vizitor, duke e bërë qëndrimin më të këndshëm.
Për profesionistët që punojnë në sektorë ku gushti është periudhë e ngarkuar, shtatori është një zgjedhje ideale për të kombinuar pushimin me qetësinë pas sezonit të verës.
Edhe pse zgjedhja e muajit të pushimeve mbetet individuale, duket se shtatori po kthehet në një alternativë gjithnjë e më të preferuar për ata që kërkojnë të kursejnë, të shmangin turmat dhe të shijojnë një verë të zgjatur.