Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon që Teherani të japë përgjigje “të unifikuar” ndaj propozimeve të Shteteve të Bashkuara mbi përfundimin e luftës dhe nuk ka vendosur ndonjë “afat të prerë” tani për tani, tha Shtëpia e Bardhë. Trump zgjati armëpushimin me Iranin, që skadoi dje.
Presidenti amerikan po i “ofron pak fleksibilitet” regjimit iranian, iu deklaroi gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ajo pohoi se ka “shumë përçarje të brendshme” në Teheran.
Kjo është betejë mes pragmatistëve e zyrtarëve të vijës së ashpër në Iran në këtë kohë dhe presidenti dëshiron përgjigje të unifikuar. Teksa ne po e presim përgjigjen, kemi një armëpushim për operacionet ushtarake dhe sulmet kibernetike.
Leavitt shtoi se trysnia ekonomike dhe bllokada detare e SHBA-ve, mbeten në fuqi.
Trump bëri një “propozim shumë të fuqishëm” për përfundimin e luftës dhe “nuk ka vendosur ndonjë afat të prerë për të marrë një propozim nga Irani” si përgjigje, shtoi ajo, pa dhënë hollësi.
Paraprakisht, Leavitt i tha Fox News-it se Irani duhet të pranojë ta dorëzojë uraniumin e pasuruar në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
Lufta filloi me sulmet ajrore të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, më 28 shkurt.
Pas bisedimeve ballë për ballë në Islamabad, më 11 e 12 prill e që përfunduan pa marrëveshje, pritej të zhvillohej një raund i ri këtë javë, por nuk u mbajt, pasi Republika Islamike nuk e konfirmoi pjesëmarrjen dhe negociatorët amerikanë nuk kanë udhëtuar ende për në shtetin pakistanez.