Aktualitet

Shtohen sërish rastet, 17 të infektuar të rinj, shkon në 820 numri i të prekurve me Covid-19 në vendin tonë

Shënohen 17 raste të reja me koronavirus në vend, shkon në 820 numri i të prekurve, pas 270 testimeve të kryera në 24 orë. Sipas numrit një të ISHP-së, Albana Fico, 11 janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitivë me COVID-19, ndërsa për 6, po vijon hetimi epidemiologjik në terren. Harta e të prekurve zgjerohet me 9 raste në Tiranë, 5 në Krujë dhe Kamza me 3, në një vatër familjare.

Në 24 orët e fundit nuk janë regjistruar të shëruar në vend, por në total 70% e të infektuarve e kanë fituar betejën me sëmundjen. Aktualisht janë 219 persona aktivë me COVID-19. Ndërsa dje ishin 8 e sot 17 raste, rritje ka pësuar dhe numri i të shtruarve në dy spitalet COVID ku janë 38 pacientë, 5 më shumë se një ditë më parë. 8 në terapi intensive.  Ministria e Shëndetësisë apelon që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik e të mbajnë higjienën personale, ndërsa bizneset, protokollet e sigurisë.