Bota

Shuhet në moshën 91-vjeçare aktori i Hollywood-it, Jack Lilley!

Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare Jack Lilley, aktori i njohur për rolet e tij në serialin klasik “Little House on the Prairie”. Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar djali i tij, Clint Lilley dhe aktorja Melissa Gilbert përmes postimeve në Instagram. Lilley pati një karrierë të pasur në Hollywood si aktor duke luajtur role të ndryshme në industrinë e filmit për dekada me radhë. Ai u shfaq në mbi 280 filma, përfshirë “Sudden Impact” (1983), “Young Guns” (1988), “Planet of the Apes” (2001) dhe “The Legend of Zorro” (2005).

I lindur në Teksas, ai u zhvendos në Los Angeles si fëmijë, kur babai i tij filloi të merrte me qira kuaj për filmat e Hollywood-it. Ai ndoqi të njëjtën rrugë si babai i tij, duke u bërë një emër i njohur në botën e filmave me tematikë perëndimore. Në jetën private, ai dhe gruaja e tij Irene u vendosën në Santa Clarita Valley, Kaliforni, ku ndërtuan një jetë familjare të lumtur dhe rritën dy djemtë e tyre, Clint dhe Cash.