Aktualitet Live From Tirana

Si është gjendja e maces që u keqtrajtua brutalisht?! Flet veterineri Martin Llazani: “Nuk mund të jetojë pa ndihmë…”

Mbrëmjen e djeshme një video u bë virale në rrjete sociale, ku shiheshin dy persona që kanë qëlluar mbi macet që u dilnin përpara, në zonën e shkollës “4 Dëshmorët” te Rruga e Dibrës. Pamjet filmike i janë dorëzuar Policisë Tiranë nga vajza që ka bërë raportimin e kësaj ngjarjeje mizore.

Nga ana tjetër, pak minuta më parë ka ardhur dhe reagimi i policisë të cilët kanë hetuar rastin në fjalë dhe kanë marrë masat e nevojshme. I ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë Dr. Martin Llazani, i cili po kujdeset momentalisht në spitalin e kafshëve për macen, ku foli më shumë gjendjen e saj momentalisht.

Gjendja momentalisht është stabël. Ka një plagë ku plumbi ka kaluar tejpërtej. Nuk ka shenja të hemoragjisë së brendshme, për momentin ka filluar të prekë pak ushqimin. Por ka dëmtim nervor, bishtin dhe këmbët nuk i ndjen. Nuk dihet nëse do t’i kryejë nevojat vetë apo do të ketë nevojë për ndihmë. Presim 72 orët e para për të parë nëse do të ketë përmirësime, apo probleme të mëtejshme, sepse plumbi ka kaluar tek pjesa e mushkërisë. Në grafi nuk duken dëmtime të mëdha të mushkrive, por në 72 orët e para mund të presim dhe edemë pulmonare, vështirësi në frymëmarrje, që mund të çojë deri në vdekje. Është në kujdes intensiv në oksigjen.

Problemi kryesor është paraliza. Në rastin më të mirë mund të kemi një mace që çalon. Në rastin më të keq mund të kemi një mace që as nuk kryen dot nevojat personale vetë dhe është një problem shumë i madh pasi mund të bëhet e pamenaxhueshme. Nuk do jetë e mundur që të jetojë pa njerëz dhe pa ndihmë. Edhe nëse rikuperohet do të duhen muaj që të jetë në gjendje të kujdeset për veten. Nëse rikthehet në rrugë është një dënim i dytë me vdekje. Do të ketë nevojë për një kujdes jo aq shumë mjekësor, sa familjar.